Shoh si të zbresin
Shoh si të zbresin nga shkallët,
Shkallët e ngushta, të pjerrta.
Klithma e vaj diku brenda,
Heshtje mortore përjashtë.
E kush mund të të qajë ty me ligje?
As ti vetë nuk dije të qaje me zë,
Veç sytë të mbusheshin me lotë,
Lotë që faqet t'i përvëlonin.
Ah, si nuk u ndodha pranë teje,
Dorën të ta lëmoja, ballin të ta fërkoja
Që ti të ndjeje më pak dhëmbje,
Që ti të vuaje më pak.
Ah, si nuk t'u ndodha pranë,
Të të shihja vazhdimisht në sy
Dhe kurajo të të jepja për të pritur vdekjen,
Vdekjen e zezë që të mori kaq shpejt.
Dhe ja tani po të kallin në dhe,
Dikush përpiqet të mbysë ngashërimin,
Kërcasin plisat e dheut mbi arkivolin tënd,
Kërcasin ata midis heshtjes së zezë.
Ah, si nuk u ndodha pranë teje,
Të të hidhja edhe unë pak dhe,
Me vdekjen tënde të pajtohesha,
Një lidhje tjetër për të vendosur.
Më kot do të të kërkoj kur të kthehem,
Më kot do të të kërkoj gjithandej,
Veç kur të ulem pranë varrit tënd
Pa zë me ty kur të kuvëndoj,
Me vdekjen tënde do të pajtohem.
New York, tetor 1994